90 MILIONË € në çantën e Karakaçit! Shqipëria e zhytur në borxhe i merr hua Gjermanisë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 03.08.2026, 21:21

Në një kohë kur Shqipëria zhytet çdo ditë e më shumë në kriza financiare dhe abuzime me fondet publike, qeveria gjermane dhe banka KfW i kanë besuar kabinetit shqiptar një paketë kolosale prej 114 milionë eurosh (90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant). Në qendër të këtij operacioni financiar, që shtrihet nga Vau i Dejës e deri te Qyteti Studenti në Tiranë, qëndron Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Përtej fjalëve të ëmbla zyrtare për "interesin publik" dhe "modernizimin e infrastrukturës", pyetja që shtrohet është e dhimbshme dhe urgjente: A do të shkojnë këto para te qytetarët dhe studentët, apo do të humbasin në labirintet e tenderëve klientelistë dhe korrupsionit të instaluar në MIE?

Marrëveshja e dytë parashikon rehabilitimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga shtyllat kurrizore të prodhimit të energjisë në vend. Ndërsa Gjermania ofron fonde për të shpëtuar një aset strategjik publik nga amortizimi, drejtimi i këtij sektori nga Enea Karakaçi vazhdon të karakterizohet nga mungesa e transparencës.

Pse u deshën kaq vite degradimi për të ndërhyrë? Dhe mbi të gjitha, cili do të jetë mekanizmi që do të garantojë se miliona eurot gjermane nuk do të përfundojnë në kontratat e tenderëve të dhëna me dyer të mbyllura, ku fituesit paracaktuar janë kthyer në traditë të kësaj ministrie?

Projekti i parë premton digjitalizimin e sistemit të transmetimit dhe automatizimin e nënstacioneve, me premtimin e rritjes së sigurisë dhe besueshmërisë. Në letër, teknologjia tingëllon si shpëtim. Në praktikë, nën logon e "digjitalizimit" dhe "efiçencës", MIE ka hapur shpesh herë portat për abuzime miliona euroshe me softuerë dhe pajisje fantazmë që nuk japin asnjëherë rezultatin e premtuar.

A do të monitorohen këto fonde rreptësisht nga partnerët ndërkombëtarë, apo Karakaçi do t'i përdorë ato si një fond i dislokueshëm për klientelizmin politik të radhës?

Granti gjerman prej 24 milionë eurosh synon rehabilitimin e konvikteve të Qytetit Studenti për rritjen e efiçencës energjetike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Studentët shqiptarë, të cilët prej vitesh braktisin auditoret për shkak të kushteve mjerane dhe kostove të papërballueshme të jetesës, trajtohen sërish si vegla propagandistike sa herë që në Tiranë mbërrijnë fondet e huaja.

Është cinike të dëgjosh ministrin Karakaçi të mburret për "ambiente më komode", kur vetë institucioni që ai drejton i ka lënë konvitet në harresë totale për vite me radhë, duke i kujtuar ato vetëm kur në horizont shfaqen milionat e huaja të grantit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit