Ministria e Ekonomisë ka finalizuar çregjistrimin e shoqërisë aksionere "Albcontrol", e cila ka pushuar së ekzistuari zyrtarisht pas vendimit për mbylljen e saj pa kaluar në likuidim. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e kompanisë që menaxhonte hapësirën ajrore të vendit i kanë kaluar tashmë një Enti Publik Jobuxhetor, në zbatim të një ligji të posaçëm të miratuar dy vjet më parë.
Ky ndryshim strukturor ishte konceptuar fillimisht si një strategji për të shpëtuar fondet e bllokuara nga gjykatat ndërkombëtare për shkak të çështjes së njohur të arbitrazhit me biznesmenin italian Francesco Becchetti. Megjithatë, lëvizja ka rezultuar e pasuksesshme, pasi të ardhurat e gjeneruara nga hapësira ajrore shqiptare që prej vitit 2020 vazhdojnë të mbahen të bllokuara.
Sipas bilanceve zyrtare, shuma e ngecur në llogaritë e Eurocontrol në Bruksel ka arritur në 18.3 miliardë lekë, ose mbi 193 milionë euro. Pavarësisht se kjo shumë ka kaluar tashmë vlerën e detyrimit të gjobës së Becchettit, shteti shqiptar nuk ka mundur të tërheqë asnjë fond, ndërkohë që një pjesë e tyre janë konfiskuar përfundimisht.
Bllokimi i këtyre financave e ka lënë kompaninë pa mjete të mjaftueshme për të garantuar operimin e fluturimeve. Për të shmangur paralizimin e hapësirës ajrore, qeveria është detyruar të ndërhyjë me fonde direkte nga buxheti i shtetit, duke injektuar përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë rreth 7 miliardë lekë si kapital për të mbajtur hapur veprimtarinë e Albcontrol.