Gjykata Speciale refuzon dorëzaninë për Thaçin prej 50 mijë eurosh

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.08.2026, 13:49

Dorëzania prej 50 mijë eurosh nuk ka qenë e mjaftueshme që gjyqtari i vetëm në gjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për tentim pengimi të drejtësisë, të miratojë lirimin e tij me kusht.

Gjyqtari ka vendosur që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë, pavarësisht se mbrojtja e tij kishte propozuar lirimin nën 14 kushte, përfshirë edhe garancinë financiare prej 50 mijë eurosh, të ofruar në korrik të këtij viti.

Gjyqtari Gosnell e ka vlerësuar si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miqtë e Thaçit, duke theksuar se kjo masë do të ishte subjekt i sekuestrimit në rast të mosparaqitjes në seanca.

“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar të argumentojë mundësinë reale të arratisjes, Gosnell e ka rrëzuar këtë si arsye për vazhdimin e paraburgimit, raporton Klan Kosova.

Megjithatë, paraburgimi i Thaçit do të vazhdojë për shkak të vlerësimit se ai mund të pengojë proceset gjyqësore që janë në zhvillim në Dhomat e Specializuara dhe mund të kryejë krime të tjera të ngjashme.

Sipas vendimit, masa e paraburgimit ndaj tij do të vazhdojë së paku deri në tetor të vitit 2026.

Hashim Thaçi është i vetmi i akuzuar në këtë rast që vazhdon të qëndrojë në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen.

Ndërkohë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë liruar me kusht nën 14 kushte, përfshirë edhe dorëzaninë, ndërsa Hajredin Kuqi ishte lënë të mbrohet në liri që nga fillimi i këtij procesi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit