Krismat në Palasë, arma ‘avulloi’! Biznesmenët mohojnë të kenë qëlluar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 03.08.2026, 13:46

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Palasë, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht luksoz pranë bregdetit. Të shtënat alarmuan turistët dhe pushuesit në zonë, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë së Himarës, Stacionit të Policisë Dhërmi, Policisë Kufitare, Njësisë Policore Detare, Delta Force dhe forca të tjera operacionale nisën një operacion nga deti dhe toka për ndalimin e mjetit lundrues, i cili po lëvizte në drejtim të Himarës. Sipas hetimeve paraprake, jahti fillimisht kishte marrë kurs drejt Greqisë, por më pas ndryshoi drejtim në përpjekje për t'iu shmangur autoriteteve.

Pas rrethimit dhe ndalimit të jahtit përballë Himarës, policia shoqëroi për verifikim personat që ndodheshin në bord. Ata janë identifikuar si Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i “Brunes Group”, Pashk Gjini, Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati. Gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave nuk u gjet asnjë armë apo send i kundërligjshëm, ndërsa arma që dyshohet se është përdorur për të shtënat, një pistoletë, ende nuk është lokalizuar nga hetuesit.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, të katër personat kanë mohuar të kenë qëlluar me armë gjatë marrjes në pyetje dhe, pas përfundimit të veprimeve të para procedurale, janë lënë të lirë. Megjithatë, hetuesit u kanë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, analizat e së cilës pritet të përcaktojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë zjarri. Dyshimet e grupit hetimor mbeten se të shtënat kanë ardhur pikërisht nga jahti i ndaluar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e të shtënave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit