Shqipëria dhe Serbia renditen si dy tregjet më pak të përballueshme të Europës për blerjen e një banese në raport me të ardhurat e familjeve. Sipas të dhënave të publikuara nga “Visual Capitalist”, bazuar në raportin e UN-Habitat “World Cities Report 2026”, një shtëpi në Shqipëri kushton mesatarisht sa të ardhurat e një familjeje për 15.7 vite. Me këtë tregues, Shqipëria renditet në vendin e 156-të nga 181 vende dhe territore në botë, ndërsa vetëm Serbia ka një raport më të lartë në Europë, me 15.9 vite të ardhura të nevojshme për blerjen e një banese.
Raporti çmim–të ardhura tregon numrin e viteve që një familje do të duhet të përdorë të ardhurat vjetore për të përballuar çmimin e një banese tipike. Sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më i vështirë është përballimi i tregut të pasurive të paluajtshme. Shqipëria ka një nivel rreth 40% më të lartë se mesatarja globale prej 11.2 vitesh. Në Europë, pas Shqipërisë dhe Serbisë, tregjet më të shtrenjta në raport me të ardhurat janë Çekia me 14.9 vite, Hungaria me 14.6, Kroacia dhe Sllovakia me 13.2, Mali i Zi me 13.1 dhe Portugalia me 12.6 vite. Për krahasim, në Itali një banesë kushton sa rreth 9.7 vite të ardhura familjare, në Gjermani 10.7 vite dhe në Greqi rreth 12.5 vite.
Rritja e çmimeve të pronave në Shqipëri është ndikuar veçanërisht nga zhvillimet në Tiranë, ku apartamentet janë shtrenjtuar ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të “Keydata”, çmimi mesatar i apartamenteve në kryeqytet arriti në mars 2026 në rreth 2,141 euro për metër katror, nga rreth 965 euro/m² në vitin 2019, duke shënuar një rritje prej rreth 122% në shtatë vite. Me këto çmime, një apartament 70 metra katrorë në Tiranë kushton afërsisht 150 mijë euro, një shumë e lartë krahasuar me pagën mesatare bruto nën 900 euro dhe pagën neto rreth 750 euro në muaj.