Pesë kandidatë kanë dorëzuar aplikimet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Afati zyrtar për aplikimet përfundoi më 1 gusht, por duke qenë se kjo datë ishte e shtunë, në KLP priten ende aplikime të mundshme. Në garë deri tani janë Adnan Xholi, Rovena Zoto, Ylli Pjetërnikaj, Fatjona Memçaj dhe ish-prokurorja e përgjithshme Arta Marku.
Kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, kishte dorëzuar fillimisht kandidaturën, por më pas u tërhoq nga gara. Ndërkohë, kandidatët e mbetur do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga KLP për të parë nëse plotësojnë kriteret ligjore.
Sipas procedurës, deri më 14 gusht Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përfundojë shqyrtimin e dokumentacionit dhe më pas do t’i propozojë Kuvendit tre kandidatë. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar, ndërsa mandati i kreut aktual të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.