Momente paniku janë regjistruar mbrëmjen e sotme në brigjet e Palasës, ku nga një jaht i ankoruar pranë bregut janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, duke alarmuar pushuesit që ndodheshin në zonë.
Sipas dëshmitarëve, në bord ndodhej një grup personash që po festonin, kur për arsye ende të paqarta u dëgjuan disa krisma, të cilat, sipas qytetarëve të pranishëm, i ngjanin shkarkimit të një karikatori të tërë. Ngjarja ka shkaktuar frikë mes pushuesve, të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet.
Policia e Shtetit ka reaguar pas sinjalizimit, duke bërë të ditur se rreth orës 21:00 është marrë njoftimi se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues. Paralelisht, janë angazhuar edhe efektivët e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilët po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Sipas policisë, operacioni për lokalizimin dhe ndalimin e jahtit vijon, me qëllim verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj. Autoritetet kanë bërë të ditur se do të japin informacion të plotë pas përfundimit të veprimeve hetimore.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh mes pushuesve në një prej zonave më të frekuentuara të bregdetit shqiptar, ndërsa priten detaje të tjera për autorët dhe motivet e të shtënave.