Kush janë dy gjyqtaret që nuk i rezistuan grabitësit të kasafortave

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 02.08.2026, 21:06

Nëse dikush kërkon provën më ulëritëse se sistemi ynë i drejtësisë jo vetëm që ka dështuar, por është kalbur nga korrupsioni deri në palcë, mjafton të shohë se si gjyqtaret si Adelajda Gjuzi dhe Arbana Selmanaj kanë ngritur një sistem ku togat e zeza mbrojnë krimin dhe tallen hapur me qytetarët, duke lënë më shpesh jashtë qelive vrasës dhe njerëz keqbërës sesa duke vënë drejtësi të vërtetë. Agron Goxhaj (48 vjeç) dhe Andi Hasani (46 vjeç), dy emra me CV të pasur kriminale dhe të specializuar në vjedhje të profilit të lartë, janë dëshmia e gjallë se si dyert e gjykatave janë kthyer në sportel shërbimi për ata që paguajnë dhe shkelin çdo ligj, ndërkohë që drejtuesit e këtij pushteti gjyqësor vazhdojnë të prodhojnë pandëshkueshmëri.

Faturimi i rëndë i këtij sistemi të korruptuar flet qartë përmes emrave që vendosin në kurriz të sigurisë publike, ndërsa prokurorja Enkelejda Shana qëndron në hije dhe duke u fshehur pas fasadave ligjore ndërkohë që kriminelët fitojnë lirinë. Herën e parë ishte gjyqtarja Adelajda Gjuzi ajo që i fali lirinë nga divani i shtëpisë, ndërsa tani tek e dyta është gjyqtarja Arbana Selmanaj që merr stafetën, duke konfirmuar me vendim zyrtar në Vlorë se tradita e pazareve nuk prishet kurrë. Pasi kishin terrorizuar një efektiv police në zonën e Porcelanit ku kishin grabitur kasafortën me para, bizhuteri dhe një pistoletë për t'i dhënë ngjyrë kriminale sipërmarrjes së tyre dhe pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të hapnin një derë te lagjja "Bashkimi" në Vlorë, të pajisur me armatim dhe mjete të sofistikuara për bravat e kasafortat e nisura nga Tirana, dyshja mori shpërblimin e merituar të një drejtësie të korruptuar: sërish "Arrest shtëpie".

Në logjikën e deformuar të sallave tona të gjyqit, ku korrupsioni mban jashtë qelive edhe vrasës e kriminelë serialë, nëse thyen masën e sigurisë duke dalë në terren për të grabitur me pistoleta në brez, ndëshkimi i vetëm është... t'i japësh sërish mundësinë ta provosh nga komoditeti i shtëpisë tënde. Një ftesë e hapur dhe cinike nga Gjuzi te Selmanaj, mes pazarxhinjve të akuzës dhe gjykimit, e cila i jep letër të bardhë kriminalitetit të organizuar dhe dëshmon hapur se ky institucion më shumë ka lënë të lirë vrasës dhe njerëz keqbërës sesa ka vendosur ndonjëherë drejtësi të vërtetë.

Në Shqipëri, hajduti dhe krimineli nuk kanë më nevojë për amnisti; u mjafton një sistem drejtësie i korruptuar gjerësisht, ku prokurorë e gjyqtare ndërrojnë karriget por prodhojnë të njëjtin produkt skandaloz që liron recidivistët. Ndërkohë, qytetari i ndershëm mbyll dyert me trefish çelësa dhe përballet çdo ditë me cinizmin e vendimeve të një drejtësie që u urojnë autorëve: "Rrugë të mbarë për te turni i radhës dhe kujdes se mos ftoheni, se shteti i korruptuar ju ruan shtëpinë!"

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit