Një qytetare nga Tirana ka ndarë shqetësimin e saj lidhur me përvojën që ka përjetuar sot në “Urgjencën e Traumës”, ku ishte drejtuar për një dëmtim në krah.
Ajo ka treguar se disa ditë më parë është rrëzuar dhe ka pësuar një dëmtim në krah, por nuk ka shkuar menjëherë në urgjencë pasi ka menduar se gjendja nuk ishte e rëndë. Megjithatë, me kalimin e ditëve dhimbjet kanë vazhduar dhe lëvizja e krahut është bërë e vështirë.
Qytetarja tregon se ditën e sotme është paraqitur në “Urgjencën e Traumës”, ku fillimisht është asistuar nga një infermiere, e cila i ka marrë të dhënat. Më pas ajo thotë se ka ardhur edhe mjeku i cili pasi ka mësuar se rrëzimi nuk kishte ndodhur atë ditë, nuk e ka vizituar.
“E informova që kisha dhimbje, nuk e lëviz dot krahun dhe nuk ngre dot asgjë normalisht, por nuk e mori mundimin ta kontrollonte”, shprehet qytetarja, e cila thotë se ka shqetësim edhe për një dëmtim të mundshëm në zonën e bërrylit.
Ajo thotë se sjellja e mjekut e ka indinjuar më së shumti pasi ai nuk e ka marrë as kartelën për ta shqyrtuar, por ia ka hequr infermieres nga dora dhe e ka hedhur, duke i thënë se duhej të paraqitej ditën tjetër për konsultë.
Qytetarja shprehet e zhgënjyer nga mënyra e trajtimit dhe ngre pyetje për cilësinë e shërbimit shëndetësor publik.
“Jam ndjerë shumë e indinjuar dhe e fyer nga kjo sjellje. Ne paguajmë taksa për të marrë shërbimin e nevojshëm dhe nuk duhet të detyrohemi të drejtohemi gjithmonë në privat”, thotë ajo.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje! Jam një qytetare nga Tirana. Para disa ditësh jam rrëzuar dhe kam dëmtuar krahun. Nuk shkova menjëherë në urgjencë sepse mendova se nuk isha vrarë shumë. Me kalimin e ditëve krahu nuk po më shërohej dhe vazhdoj të kem dhimbje. Ditën e sotme u drejtova në “Urgjencën e Traumës”. Aty më asistoi një infermiere dhe më mori të dhënat, më pas erdhi doktori dhe më pyeti. Kur mori vesh që nuk isha rrëzuar sot, nuk e mori mundimin të më vizitonte, megjithëse i thashë që kam dhimbje. Më tha që duhet të shkoja nesër për konsultë. Ajo që më indinjoi më shumë ishte mospërfillja e mjekut. Edhe pse unë kisha dhimbje dhe dora ime dukej që ishte e lënduar nuk e mori mundimin por i mori infermieres kartelën nga dora dhe e hodhi. Aq përshtypje bëri sjellja e tij, sa një paciente e sapoardhur u detyrua t’i thoshte: “Unë jam rrëzuar mbrëmë”. Gjysma e pagës sonë na shkon taksa pikërisht për të marrë shërbimin e nevojshëm. Nëse shërbimi është ky, atëherë pse i paguajmë këto taksa. Pse duhet të detyrohemi të shkojmë në privat? Jam ndjerë shumë e ndijuar dhe shumë e fyer nga sjellja e atij mjeku. Nuk besoj se jam personi i parë që trajtohet në këtë mënyrë.
Nuk e lëviz dot krahun, nuk ngre dot asgjë normalisht ai nuk e mori mundimin ta shikonte kam frikën e bërrylit
