IUTE u jep dorën qytetarëve, më pas u merr shpirtin: 20 mln euro në kurriz të shqiptarëve

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 01.08.2026, 18:56

Nëse keni menduar ndonjëherë se si duket një marrëdhënie toksike ku ju jepni gjithçka e tjetri ju merr shpirtin, mjafton t'i hidhni një sy tregut të mikrokredive në Shqipëri. Ndërkohë që qytetari i thjeshtë llogarit qindarkat për të mbyllur muajin me bukë në sofër, institucione si Iute Credit duket se e kanë gjetur formulën e lumturisë financiare: komisionet e kripura dhe interesat që të bëjnë të harrosh pse e ke marrë atë borxh në radhë të parë.

Vetëm vitin e kaluar kjo kompani ka arkëtuar gati 20 milionë euro vetëm nga komisionet e larta ndaj qytetarëve. Po, e lexuat mirë, 20 milionë euro nga ato tarifat e vogla fshehurazi në kontrata që duket sikur nuk peshojnë gjë, derisa të mbyten së paguari.

Pavarësisht se tregu i mikrokredive u trondit nga skandale të bujshme, ku kulmi u arrit me shpërthimin e famshëm të skemës MCA, modeli i biznesit të fajdeve me leje vazhdon të lulëzojë si mos më mirë. Banka e Shqipërisë është munduar të vërë ca fre, duke ulur interesat maksimale në 51.3%, një shifër kjo që në çdo vend normal do konsiderohej grabitje me armë, por këtu quhet "aktivitet financiar normal".

Në fund të vitit të kaluar, Iute raportoi një fitim neto pas taksave prej 421.8 milionë lekësh, duke u konfirmuar si një nga dy shtyllat kryesore të mikrokredive që nuk njohin krizë. Me një portofol kredish prej rreth 100 milionë eurosh, kompania gjeneroi plot 33 milionë euro nga interesat dhe komisionet. Me pak fjalë: për çdo 100 lekë kredi që jep, merr mbrapsht 34 lekë vetëm nga kamatat dhe gjobat. E kush tha se bankat nuk kanë shpirt humanitar? Ato thjesht ta marrin me lezet.

Ku shkojnë paratë e djersës së qytetarëve?

Tani, dikush mund të mendojë se gjithë ky mal me para shkon në fonde bamirësie. Mos u bëni kaq naivë! Për të mbajtur gjallë këtë makinë të mrekullueshme biznesi, duhen shpenzime të majme. Mbi 5 milionë euro në vit digjen për konsulencë, marketing, bonuse majmërie dhe shpenzime për mbledhjen e borxheve. Pra, ndërkohë që qytetari shtrëngon rripin për të shlyer këstin e radhës, një pjesë e mirë e atyre parave financon fushata marketingu që të buzëqeshin nga ekranet dhe bilancet marramendëse të atyre që i menaxhojnë.

Në fund të ditës, duket se në këtë vend ekzistojnë dy botë paralele: ajo e qytetarëve që hyjnë në borxhe për të mbijetuar, dhe ajo e mikrokredive që i shndërrojnë hallet e tyre në fitime rekord miliona euroshe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit