Një gjykatë në Moskë ka urdhëruar konfiskimin e 123 pronave të Dëshmitarëve të Jehovait dhe kalimin e tyre në pronësi të shtetit rus, njoftoi të premten shërbimi gjyqësor i kryeqytetit.
Sipas autoriteteve, pronat ishin të regjistruara më parë në emër të degës suedeze të Dëshmitarëve të Jehovait. Ato përfshijnë 63 objekte banimi dhe ambiente tregtare me një sipërfaqe totale prej mbi 11 mijë metrash katrorë, si edhe 60 parcela toke që shtrihen në rreth 5.6 hektarë në zona të ndryshme të Rusisë.
Dëshmitarët e Jehovait janë përballur prej vitesh me masa të ashpra nga autoritetet ruse. Në vitin 2017, Gjykata Supreme e Rusisë e shpalli organizatën fetare si "ekstremiste" dhe ndaloi veprimtarinë e saj në vend.
Megjithatë, në vitin 2022, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se ky ndalim ishte i paligjshëm, duke vlerësuar se Rusia kishte shkelur të drejtat themelore të besimtarëve.
Pas ndalimit, qindra anëtarë të Dëshmitarëve të Jehovait janë proceduar penalisht dhe shumë prej tyre janë dënuar me burg për akuza që lidhen me "veprimtari ekstremiste".
Vetëm në fillim të këtij viti, katër anëtarë të organizatës u dënuan me burg. Sipas raportimeve, provat ndaj tyre u siguruan përmes regjistrimeve të fshehta të realizuara nga persona që ishin infiltruar në mbledhjet e lutjeve.