Çfarë po ndodh në Ceuta dhe pse është “porta e Europës”?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 01.08.2026, 15:20

Qyteti autonom spanjoll i Ceutës, në Afrikën e Veriut, po përballet me një valë të pazakontë emigracioni, ndërsa pamjet e ditëve të fundit tregojnë qindra persona që vrapojnë drejt kufirit ose notojnë për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, gjatë natës mes 30 dhe 31 korrikut u regjistruan deri në 50 mijë përpjekje për hyrje, ndërsa mbi 25 mijë persona janë kthyer vullnetarisht deri më 31 korrik. Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, e ka cilësuar situatën si një “emergjencë absolute humanitare dhe sociale”, duke kërkuar ndihmë urgjente nga qeveria qendrore.

Rritja e fluksit lidhet edhe me një vendim të Gjykatës Supreme të Spanjës, të marrë më 29 qershor 2026, i cili ndryshoi mënyrën e trajtimit të emigrantëve që hyjnë në Ceuta duke notuar. Gjykata sqaroi se këta persona nuk mund të kthehen menjëherë në kufi me procedurën e refuzimit të menjëhershëm, si ata që kalojnë gardhin kufitar, por duhet t’i nënshtrohen procedurës standarde të kthimit që mund të zgjasë deri në 72 orë. Sipas autoriteteve, ky interpretim është shfrytëzuar nga rrjetet e trafikantëve për të nxitur kalimet drejt Ceutës. Si reagim, qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez ka dërguar ushtrinë, ka shtuar praninë e forcave të sigurisë dhe ka njoftuar vendosjen e një barriere fizike në det për të lehtësuar kontrollin e kufirit.

Ceuta është një qytet autonom spanjoll me rreth 83 mijë banorë, i ndarë nga Maroku me një gardh prej tetë kilometrash me tela me gjemba dhe përbën një nga pikat kryesore të hyrjes drejt Evropës. Statusi i saj daton që nga Traktati i vitit 1668 mes Spanjës dhe Portugalisë, ndërsa Maroku vazhdon ta konsiderojë territor të vetin dhe ka kërkuar ndër vite njohjen e këtij pretendimi në OKB. Kriza aktuale rikthen në vëmendje ngjarjet e vitit 2021, kur mijëra emigrantë hynë në Ceutë gjatë një përplasjeje diplomatike mes Spanjës dhe Marokut, duke treguar se qyteti mbetet një nga pikat më të ndjeshme të kufirit jugor të Bashkimit Evropian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit