Një situatë e vështirë raportohet në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku udhëtarë të shumtë që po kthehen drejt vendeve të tyre kanë mbetur të bllokuar në kolona të gjata.
Një qytetar ka dërguar një video pranë redaksisë së JOQ Albania, duke bërë apel për bashkatdhetarët që po udhëtojnë në këtë drejtim të tregohen të kujdesshëm dhe të zgjedhin rrugë alternative.
Sipas tij, në doganë është krijuar një trafik i madh me radhë automjetesh që shtrihen për disa kilometra, ndërsa situata e rënduar nuk është vetëm në pikën kufitare, por edhe në rrugët e Kroacisë.
“Jemi në kufirin Kroaci-Bosnje, në doganë ka trafik deri në 10 kilometra. Edhe Kroacia pothuajse është totalisht e bllokuar në çdo rrugë. U them bashkatdhetarëve të ikin më mirë nga Italia, sepse do të vuajnë shumë”, shprehet qytetari në mesazhin e tij.
Fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë sezonit turistik dhe kthimi i emigrantëve drejt vendeve të tyre ka sjellë ngarkesë të madhe në akset kryesore dhe pikat kufitare në rajon.
Qytetarët u bëjnë apel udhëtarëve që të informohen përpara nisjes dhe, nëse është e mundur, të shmangin oraret me fluks të lartë për të mos mbetur për orë të tëra në pritje.