Josif Gorrea, kryetari socialist i Bashkisë Divjakë, është kthyer në qendër të vëmendjes pas kundërshtimit publik të reformës së re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë që ai drejton dhe bashkimin e saj me Lushnjën. Vetëm pak muaj më parë, Gorrea shfaqej krah kryeministrit Edi Rama në një takim me fermerët, ku me qeleshe në kokë fliste për sukseset e bujqësisë së zonës dhe për “12 milionë” kastravecët, domatet, karrotat e specat e prodhuara nga fermerët e Divjakës.
Në atë takim të 30 janarit të këtij viti, Gorrea e cilësonte bujqësinë dhe turizmin si shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare dhe vinte në pah mbështetjen për fermerët përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes. Por sot, përballë një vendimi të ardhur nga e njëjta mazhorancë që ai përfaqëson, kryebashkiaku socialist doli në krah të protestuesve dhe e quajti propozimin për shkrirjen e Divjakës një “bombë”, duke deklaruar se ndihet i tradhtuar.
Kryetari i Bashkisë Divjakë kundërshton se ndryshimi territorial nuk bazohet në kritere të qarta dhe thekson se zona që ai drejton ka një numër të konsiderueshëm banorësh dhe aktivitet të fortë ekonomik. Kështu, Gorrea gjendet sot në një pozicion të pazakontë politik: nga një zyrtar që pak kohë më parë lavdëronte politikat e qeverisë Rama për bujqësinë, në një prej zërave socialistë që kundërshton një reformë të propozuar nga vetë qeveria e tij.