Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duket se ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të komentuar protestat që prej 62 ditësh vijojnë kundër qeverisë Rama. Në vend që të merret me mesazhin e qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Balla publikoi një imazh që sipas komentuesve ngre pikëpyetje, duke u kthyer në objekt ironie në rrjet.
Tentativa për të minimizuar përmasat e protestës mori një kthesë të papritur, pasi përdoruesit vunë re detaje të pazakonta në fotografi. Në disa banderola shfaqen shkrime pa kuptim dhe fjalë që nuk i përkasin gjuhës shqipe, gabime tipike të imazheve të krijuara me inteligjencë artificiale. Në rrjet komentet nuk munguan, me shumë qytetarë që ironizuan faktin se “protestën” e Ballës e zbuluan pikërisht gabimet e AI-së.
Ndërkohë, protesta e radhës kombëtare pritet të zhvillohet sot me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora. Ndërsa qeveria dhe mazhoranca vijojnë ta minimizojnë lëvizjen qytetare, përballja mes protestuesve dhe mazhorancës politike duket se po zhvendoset edhe në hapësirën online, ku çdo postim tashmë kalon përmes “verifikimit” të rrjeteve sociale.