Greqia në luftë me zjarret, mijëra të evakuuar dhe situatë kritike

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.08.2026, 11:45

Greqia po përballet me një situatë të rëndë për shkak të zjarreve masive pyjore, të cilat kanë detyruar mijëra banorë dhe turistë të largohen nga zonat e rrezikuara. Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke vënë në alarm autoritetet dhe ekipet e emergjencës.

Një prej zonave më të prekura është qyteti bregdetar Agios Vasileios në Vioti, ku qindra persona u evakuuan me anije pasi zjarri u afrua pranë zonave të banuara. Mbi 200 persona janë larguar deri tani në mënyrë të sigurt, ndërsa autoritetet po përgatiten për evakuimin e rreth 100 të tjerëve. Zjarri, i nisur të premten në mëngjes, kishte bllokuar rreth 500 persona, kryesisht pushues.

Situata mbetet kritike edhe në ishullin e Kretës, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kanë detyruar rreth 8 mijë persona të braktisin përkohësisht banesat dhe zonat turistike. Vatra zjarri janë regjistruar gjithashtu në Paros, Andros dhe Kalymnos, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve ekstreme atmosferike.

Vala e zjarreve ka prekur edhe vende të tjera të Europës Jugore. Në Portugali, qindra zjarrfikës po përballen me flakët pranë Valpaços, ku janë djegur rreth 15 mijë hektarë tokë, ndërsa në Spanjë vijon monitorimi i situatës për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut për shpërthime të reja. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në rritjen e intensitetit dhe shpeshtësisë së këtyre fenomeneve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit