Dita e sotme pritet të shënojë temperaturat më të larta të javës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas parashikimit të MeteoAlb, vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme, duke favorizuar mot të kthjellët, me diell dhe temperatura të larta gjatë gjithë ditës.
Temperaturat e ajrit do të regjistrojnë një tjetër rritje, si në orët e mëngjesit ashtu edhe në mesditë, duke u luhatur nga 20°C në zonat më të freskëta deri në 37°C në ato më të nxehta. Kushtet atmosferike do të mbeten të qëndrueshme, pa reshje, ndërsa vapa do të ndihet më e theksuar gjatë orëve të mesditës.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, me shpejtësi mbi 5 km/h, kryesisht nga drejtimi jugor. Në brigjet detare pritet dallgëzim deri në 2 ballë, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të pikut të temperaturave.