Fluksi i lartë i automjeteve ka krijuar radhë kilometrike këtë të premte në pikën kufitare të Morinit, ku shumë udhëtarë po përballen me vonesa të gjata në hyrje të Kosovës.
Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania, duke raportuar se kolona e mjeteve ka mbetur e bllokuar për rreth 40 minuta.
"Përshëndetje JOQ, shikoni çfarë po ndodh në Doganën e Morinit. Kemi 40 minuta pa lëvizur nga vendi. Anonim, ju lutem. Faleminderit! Po presim për të hyrë në Kosovë."
Sipas informacioneve paraprake, fluksi lidhet me kontrollet e automjeteve me targa të huaja, si edhe me kufizimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugët e Kosovës, çka ka sjellë ngadalësim të lëvizjes në pikën kufitare.
Pritja bëhet edhe më e vështirë për udhëtarët për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë rajonin. Deri më tani, autoritetet kufitare nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me kohën e pritjes apo masat që mund të merren për lehtësimin e qarkullimit.