Italia i vë kryqin Spanjës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.07.2026, 16:30

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Marrëveshjes së Shengenit që garantojnë lëvizjen e lirë, pas fluksit të emigrantëve të parregullt nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

Në një reagim në platformën "X", Meloni tha se situata në Ceuta është alarmante dhe se pamjet e publikuara dëshmojnë se emigracioni i paligjshëm vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz për sigurinë e kufijve evropianë.

Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, ndërsa njoftoi se qeveria italiane po shqyrton masa të jashtëzakonshme për përballimin e situatës. Sipas saj, ndër opsionet që po vlerësohen është edhe pezullimi i Shengenit me Spanjën.

"Italia nuk do të qëndrojë duarkryq. Jemi të gatshëm të marrim çdo masë të nevojshme për të mbrojtur kufijtë dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Lufta kundër emigracionit të paligjshëm, trafikantëve të qenieve njerëzore dhe garantimi i riatdhesimeve do të mbeten prioritete të qeverisë sonë", u shpreh Meloni.

Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili mbështeti publikisht një qasje më të ashpër ndaj emigracionit të parregullt. Ai kritikoi vendimin e autoriteteve spanjolle për t'u dhënë shtetësi mbi 500 mijë emigrantëve të parregullt, duke argumentuar se një veprim i tillë ka pasoja për të gjithë Bashkimin Evropian.

"Jam në favor të pezullimit të Shengenit me Spanjën. Emigracioni i pakontrolluar përbën një rrezik për sigurinë kombëtare dhe zhvillimet në Ceuta tregojnë se politika e Madridit ka qenë e gabuar, pasi nxit trafikimin e qenieve njerëzore", deklaroi Tajani.

Deklaratat e zyrtarëve italianë vijnë në një moment kur Spanja po përballet me një nga flukset më të mëdha migratore drejt Ceutës që nga viti 2021. Për të përballuar situatën, autoritetet spanjolle kanë angazhuar ushtrinë dhe kanë dërguar forca shtesë sigurie në enklavë. Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi se 60 efektivë të forcave të armatosura do t'i bashkohen policisë për menaxhimin e krizës.

Sipas autoriteteve, të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin, ndërsa qindra të tjerë kanë tentuar të hyjnë në Ceuta duke notuar nga brigjet e Marokut. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë emigrantë, kryesisht të rinj, që mbërrijnë në breg, ndërsa disa prej tyre dëgjohen duke thënë: "Lamtumirë Marok, mirëmëngjes Spanjë". Në plazhet e Ceutës janë gjetur jelekë shpëtimi, pendë noti dhe kostume neopreni të braktisura.

Presidenti i qytetit autonom të Ceutës, Juan Vivas, bëri të ditur se më shumë se 1 500 emigrantë kanë mbërritur në enklavë gjatë ditëve të fundit, me një mesatare prej rreth 200 personash në ditë. Ai paralajmëroi se qendrat e pritjes janë tejmbushur dhe se situata ka marrë përmasa emergjente.

Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se qeveria ka mobilizuar të gjitha kapacitetet për menaxhimin e krizës. Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, pritet të vizitojë Ceutën për t'u takuar me autoritetet vendore, ndërsa Madridi dhe Rabati kanë rënë dakord të përshpejtojnë kthimin në Marok të personave që kanë hyrë ilegalisht në territorin spanjoll.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit