Euro e ka mbyllur muajin korrik në nivelin më të ulët historik ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot mesatarisht me 93.5 lekë, duke vijuar trendin e zhvlerësimit të monedhës europiane në tregun vendas.
Krahasuar me korrikun e vitit 2022, kur një euro këmbehej me rreth 117.4 lekë, monedha europiane është zhvlerësuar me afro 20%. Rënia është thelluar edhe më tej gjatë sezonit veror, si pasojë e fluksit të lartë të valutës që hyn në vend nga turizmi, remitancat dhe burime të tjera.
Për të zbutur zhvlerësimin e mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në treg përmes blerjes së valutës. Si rezultat i këtyre operacioneve dhe rritjes së hyrjeve valutore, rezervat valutore të vendit kanë arritur në një nivel rekord prej 7.8 miliardë euro në fund të qershorit, nga 6.7 miliardë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë.