Një defekt teknik në sistemin elektronik të autoriteteve greke ka sjellë ndërprerje të përkohshme të procedurave të përpunimit në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe udhëtarësh.
Prej disa orësh, qytetarët janë duke pritur në kufi nën temperatura të larta, pasi regjistrimi i hyrje-daljeve në territorin grek është pezulluar për shkak të mosfunksionimit të sistemit elektronik.
Burime nga Pika Kufitare e Qafë Botës bëjnë të ditur se autoritetet shqiptare kanë kontaktuar me homologët grekë, të cilët kanë konfirmuar se problemi lidhet me një avari teknike në sistem.
Sipas të njëjtave burime, ekipet teknike të palës greke janë duke punuar për eliminimin e defektit dhe rikthimin sa më shpejt të sistemit në funksion. Deri në zgjidhjen e problemit, përpunimi i kalimeve kufitare vijon me ritme të ngadalta, ndërsa kolonat e automjeteve dhe pritjet në kufi mbeten të konsiderueshme.