SPAK merr të pandehur Bela Ballukun dhe për 6 tendera të tjerë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 31.07.2026, 10:51

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është thirrur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku pritet t’i komunikohet zyrtarisht marrja e saj si e pandehur edhe për gjashtë tendera të tjerë, në kuadër të hetimeve për shkelje të procedurave të prokurimit publik.

Sipas burimeve për media, Balluku është paraqitur në SPAK në orën 10:00, e shoqëruar nga avokati i saj mbrojtës. Me këtë vendim, akuzat ndaj saj zgjerohen dhe përfshijnë edhe gjashtë lotet e tjera të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës. Më herët, ajo ishte marrë e pandehur për lotin 4 të këtij projekti, si dhe për tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Po gjatë ditës së sotme, SPAK pritet t’i komunikojë Ballukut edhe vendimin për zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve. Ky zhvillim vjen pasi më herët janë marrë të pandehur edhe dy ish-vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Paralelisht, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet edhe për dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, që lidhen me dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në periudhën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. Sipas SPAK, këto procedura janë favorizuar në kundërshtim me ligjin në favor të një kompanie ndërtimi, ndërsa pretendohet se Balluku ka përfituar si ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 145 mijë euro. Pasuria është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit