Qeveria i ka dhuruar mbi 885 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Vlorë “RAMS Global” të Mehmet Faruk Bülbül si fituese e statusit të investitorit special.
Këshilli i Ministrave ka finalizuar procedurat për kalimin e pronësisë së mbi 885 mijë metra katrorë tokë në Vlorë në favor të kompanisë ndërkombëtare "RAMS Global", e cila tashmë do të zhvillojë zonën e re ekonomike të njohur si "VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE". Sipas vendimit të qeverisë, sipërfaqja prej 885,557.6 metrash katrorë i kalon në pronësi kompanisë për një periudhë 35-vjeçare, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet, duke i dhënë asaj statusin e investitorit të veçantë.
Projekti i paraqitur nga kompania, e drejtuar nga Mehmet Faruk Bülbül, parashikon ngritjen e një ekosistemi industrial, logjistik dhe inovativ që do të shtrihet në disa fusha kyçe, përfshirë teknologjinë industriale, automatizimin, inteligjencën artificiale, si dhe përpunimin mekanik të lehtë të metaleve dhe energjinë e rinovueshme.
Vendimi për t'i dhënë kontrollin e një sipërfaqeje kaq të madhe tokëzimi publik një subjekti të vetëm privat ka vënë në qendër të vëmendjes transparencën e procedurave dhe përfitimet afatgjata ekonomike për qytetin bregdetar.
V E N D I M PËR SHPALLJEN “ZONË E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/2, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” të territorit, me sipërfaqe 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m2, pjesë e zonave kadastrale 8604 dhe 2765, në Bashkinë Vlorë, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe hartës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” përcaktohen në hartën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE””, janë të llojit:
a) ekosistem industrial logjistik dhe inovativ; b) teknologji industriale; c) automatizim dhe inteligjencë artificiale; ç) përpunim mekanik i lehtë i metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energjinë e rinovueshme.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), në funksion të zhvillimit të projektit, me tarifë 1 (një) euro/kontrata.
6. Shoqëria “RAMS ALBANIA”, sh.p.k., shpallet zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me procedurë jokonkurruese si subjekt përfitues, me status “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në bazë të vendimit nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar.
7. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.774, datë 4.6.2008, “Për shpalljen e “Zonë ekonomike” në Vlorë”, nr.818, datë 11.6.2008, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, në Vlorë, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, dhe nr.1547, datë 26.11.2008, “Për miratimin e kontratës të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Idea Vlora”, sh.a., për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë”, shfuqizohen.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.