Qeveria shtetëzon Check-up-in dhe Dializën pasi pagoi 182 milionë euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.07.2026, 22:15

Qeveria ka vendosur të rikthejë nën administrimin e shtetit dy shërbime të tjera kryesore shëndetësore: kontrollin bazë të popullsisë (Check-up) dhe ofrimin e shërbimit të dializës. Me këtë vendim, autoritetet po u japin fund dy kontratave koncesionare me afat 10-vjeçar në sektorin e shëndetësisë.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila sqaroi se kontratat e këtyre dy koncesioneve përfundojnë përkatësisht në shtator dhe nëntor të këtij viti dhe nuk do të rinovohen më.

"Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti," deklaroi ministrja.

Fatura 182 milionë euro nga buxheti i shtetit

Përgjatë kohëzgjatjes së tyre 10-vjeçare, të dyja këto kontrata koncesionare i kanë kushtuar arkës së shtetit një faturë totale prej rreth 17.2 miliardë lekësh ose rreth 182 milionë euro me kursin aktual.

Më konkretisht, nga buxheti i shtetit janë paguar:

  • 8.76 miliardë lekë për koncesionin e Check-up-it.
  • Mbi 8.5 miliardë lekë për koncesionin e Dializës.

Fundi i valës së koncesioneve në shëndetësi

Marrja në dorëzim e Check-up-it dhe Dializës pason vendimin e mëparshëm të qeverisë për kthimin nën menaxhim shtetëror të një tjetër shërbimi të koncesionuar, atij të sterilizimit.

Koncesioni i sterilizimit i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 150 milionë euro i vetëm, ndërsa sot ndodhet nën hetim nga SPAK si një procedurë ku janë konstatuar shkelje të rënda korruptive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit