Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar për natën e 61-të radhazi protestën kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po përshkojnë rrugët e kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Shqipëria kërkon revolucion!", që kanë shoqëruar nisjen e marshimit të kësaj mbrëmjeje.
Prej 61 ditësh pa asnjë ndërprerje, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke e kthyer këtë në një nga lëvizjet më të gjata qytetare të viteve të fundit.
Organizatorët theksojnë se vazhdimësia e protestës është dëshmi e vendosmërisë së qytetarëve për të mos u tërhequr deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protestuesit kërkojnë largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për 36 vitet e fundit, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe reforma të thella politike.
Marshimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje dhe slogane kundër qeverisë.