Këta janë dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën tragjikisht në Greqi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.07.2026, 22:45

Personat që shihni në foto janë Edison Xhaka, 28-vjeç nga Elbasani, dhe Aleksandër Toçila, 34-vjeç nga Gramshi, dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën në aksidentin tragjik me motor të ndodhur në orët e para të mëngjesit në ishullin e Kretës, në Greqi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Kissamos-Hania, pranë zonës së Kolymbarit. Sipas autoriteteve greke, motoçikleta me të cilën udhëtonin dy të rinjtë doli nga rruga në rrethana që ende po hetohen dhe u përplas me barrierën metalike anësore. Përplasja ishte fatale dhe të dy ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra.

Edison Xhaka jetonte dhe punonte prej vitesh në zonën e Kissamosit, ndërsa Aleksandër Toçila punonte aty prej një periudhe me kohë të pjesshme.

Lajmi i hidhur ka tronditur komunitetin shqiptar në Kretë. Në një reagim publik, Shoqata Shqiptare Kisamo "Kastel" shprehu dhimbjen për humbjen e dy bashkatdhetarëve, duke i cilësuar ata si djem punëtorë dhe të respektuar, ndërsa u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve, të afërmve dhe miqve të tyre.

Shoqata ka bërë të ditur se familja Xhaka ka hapur dyert për ngushëllime pranë banesës së vëllait të madh të Edisonit, Festim Xhaka, ndërsa për familjen Toçila pritjet e ngushëllimit do të zhvillohen në ambientet e shoqatës, e cila do të jetë e hapur për bashkatdhetarët.

Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik që i mori jetën dy të rinjve shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit