Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor ish-oficerin e Policisë, Igli Haxhiaj, duke e dënuar për disa vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës, zbulimin e sekretit hetimor dhe korrupsionin pasiv.
Fillimisht, trupi gjykues caktoi një dënim prej 4 vitesh burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Haxhiaj përfitoi uljen me një të tretën e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg.
Gjykata vendosi gjithashtu që ai ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, ndërsa i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh. Vuajtja e dënimit do të llogaritet nga data e arrestimit të tij, më 27 nëntor 2025. Po ashtu, Haxhiaj do të përballojë edhe shpenzimet e hetimit dhe të procesit gjyqësor. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të arsyetuar.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Igli Haxhiaj dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal të angazhuar në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku përmendet edhe emri i Elvis Doçit, i njohur si "Visi i Pojës".
Në dosjen hetimore janë administruar komunikime të siguruara nga platforma e enkriptuar Sky ECC, të cilat, sipas SPAK, e implikojnë Haxhiajn në komunikime që lidhen me trafikun e drogës, në kohën kur ai ushtronte detyrën si oficer i Forcës së Posaçme Operacionale.
SPAK pretendon gjithashtu se ish-oficeri ka zbuluar informacione që përbënin sekret hetimor dhe ka shpërdoruar detyrën, ndërsa akuzohet edhe për korrupsion pasiv në cilësinë e funksionarit të organeve të drejtësisë.
Igli Haxhiaj u arrestua në nëntor të vitit 2025, ndërsa hetimet ndaj tij u përmbyllën në muajin maj të këtij viti, duke çuar më pas në gjykimin dhe vendimin e dhënë nga GJKKO.