Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e kësaj të enjteje në zonën e Shkozetit, në drejtim të Plepave, ku flakët kanë përfshirë një magazinë industriale.
Sipas të dhënave të para, dyshohet se zjarri është shkaktuar pasi dy kabllo të tensionit të lartë janë shkëputur për shkak të temperaturave të larta dhe kanë rënë mbi objektin, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi.
Në momentin e ngjarjes në magazinë ndodheshin punonjës, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse të gjithë kanë dalë në kohë apo nëse ka persona të bllokuar. Autoritetet po punojnë për verifikimin e situatës.
Në vendngjarje janë angazhuar disa mjete zjarrfikëse, të cilat po luftojnë me flakët për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave pranë objektit.
Për arsye sigurie është bllokuar qarkullimi i automjeteve në aksin Plepa–Durrës, ndërsa dëmtimi i linjës së tensionit të lartë ka lënë pa energji elektrike një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Durrësit.