Banorët e kompleksit Green City në zonën e Astirit kanë denoncuar një tjetër ndërprerje të zgjatur të furnizimit me ujë, duke thënë se kanë mbetur pa ujë që në orët e para të mëngjesit, ndërsa situata është bërë e papërballueshme për shkak të temperaturave të larta.
Sipas një denoncimi të mbërritur, furnizimi me ujë është ndërprerë që rreth orës 06:30 të mëngjesit dhe deri në orën 15:00 nuk ishte rikthyer ende.
"Jemi në mes të vapës dhe nuk kemi ujë për të kryer as nevojat më elementare. Nuk mund të bëjmë dush, të lajmë enët, rrobat apo të mbajmë higjienën normale në shtëpi. Këtu jetojnë familje me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe shumë banorë që po përballen me një situatë të papranueshme", shprehet banori.
Sipas tij, problemi nuk është i ri. Ai thotë se kjo situatë përsëritet prej vitesh dhe se gjatë muajit gusht banorët mbeten shpesh pa ujë për orë të tëra, pothuajse çdo ditë.
"Ky është viti i dytë, madje ndoshta i tretë radhazi, që gjatë gjithë muajit gusht përballemi me të njëjtin problem. Çdo verë mbetemi pa ujë për orë të tëra, pa asnjë zgjidhje dhe shpesh pa asnjë njoftim", vijon ai.
Banorët kërkojnë reagim dhe ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se ndërprerjet e gjata të ujit në kulmin e sezonit veror po e bëjnë jetesën tepër të vështirë dhe po cenojnë kushtet minimale të higjienës dhe mirëqenies. Ata shpresojnë që ky problem i përsëritur të marrë më në fund një zgjidhje të qëndrueshme