Nëna e 24-vjeçares Bleona Çobaj, e cila humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj në ngjarjen tragjike në Domen, ka deklaruar se vajza e saj kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj.
Sipas rrëfimit të nënës, familjarët kishin marrë dijeni rreth një vit më parë për situatën që ajo pretendon se vajza po kalonte. Ajo tregon se 24-vjeçarja u kishte folur për dhunën dhe se familja kishte tentuar ta largonte nga ajo gjendje, duke shkuar për ta marrë. Megjithatë, më pas e reja kishte mohuar gjithçka.
Familjarët dyshojnë se ndryshimi i deklarimeve mund të ketë ardhur si pasojë e frikës apo presioneve dhe kërcënimeve të mundshme nga bashkëshorti i saj.
Nëna e 24-vjeçares ka treguar gjithashtu se gjatë bisedave me video kishte vënë re shenja në trupin e vajzës, por ajo i kishte shpjeguar duke thënë se ishte rrëzuar.
Sipas familjes, gjatë vitit të fundit marrëdhëniet dhe komunikimi me vajzën ishin kufizuar ndjeshëm. Ata thonë se ajo nuk kishte një telefon personal dhe se kontaktet me ta ishin të rralla, kryesisht përmes celularit të bashkëshortit.
Familjarët pohojnë gjithashtu se prej rreth tre vitesh 24-vjeçarja nuk ishte kthyer në Shqipëri dhe se gjatë muajve të fundit komunikimi me prindërit ishte pothuajse ndërprerë.
Ata hedhin dyshime se situata e rëndë që ajo mund të ketë përjetuar ka ndikuar në gjendjen e saj psikologjike dhe nuk përjashtojnë asnjë pistë lidhur me rrethanat e vdekjes. Megjithatë, çdo përfundim mbetet në dorën e hetimit dhe ekspertizës mjeko-ligjore, të cilat do të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur realisht.
Familjarët deklarojnë se disponojnë materiale dhe prova që, sipas tyre, lidhen me pretendimet për dhunë dhe kërkojnë që ato të shqyrtohen nga autoritetet përgjegjëse.
Ata kërkojnë një hetim të plotë të ngjarjes, me qëllim që të zbardhen të gjitha rrethanat dhe të sqarohet përfundimisht çfarë ka ndodhur me 24-vjeçaren dhe dy fëmijët e saj.