Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho ka zhvilluar një takim informues me gazetarët, ku ka bërë të ditur numrin e procedimeve aktive që po trajton institucioni. Sipas tij, viti 2026 ka nisur me një volum të lartë hetimesh, me 616 procedime aktive në proces, duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e tyre janë rezultat i punës së nisur nga vetë prokurorët e SPAK.
Braho deklaroi se më shumë se gjysma e këtyre çështjeve nuk kanë ardhur nga kallëzime apo referime të jashtme, por nga hetime proaktive të ndërmarra nga SPAK. “Viti 2026 ka nisur me 616 procedime aktive”, u shpreh ai, duke theksuar rritjen e angazhimit të institucionit në hetimin e çështjeve nën kompetencën e tij.
Pjesë nga deklarata:
3. ECURIA E ÇËSHTJEVE TË PRAPAMBETURA TË VITEVE 2019–2021
3.1. Krahasimi i së njëjtës periudhë të viteve 2025 dhe 2026 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të trajtimit të çështjeve të prapambetura të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2025, nga 145 çështje aktive u përfunduan 12, me një normë të përgjithshme zgjidhshmërie prej 8,27%. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, nga 108 çështje aktive u përfunduan 63 procedime penale, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%.
3.2. Në terma absolute, gjatë vitit 2026 janë përfunduar 51 çështje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025, ose mbi pesë herë më shumë. Norma e përgjithshme e zgjidhshmërisë është rritur me rreth 50 pikë përqindje, nga 8,27% në 58,3%, pavarësisht se krahasimi përfshin të njëjtën kohë raportimi.
3.3. Përmirësimi më i madh konstatohet te çështjet e vitit 2019. Deri më 15 korrik 2025 ishin përfunduar vetëm 2 nga 35 çështje, me normë zgjidhshmërie 5,71%, ndërsa deri më 15 korrik 2026 janë përfunduar 24 nga 26 çështje, ose 92,3% e stokut të fillim vitit. Në proces kanë mbetur vetëm 2 çështje të këtij viti.
3.4. Edhe për çështjet e vitit 2020 rezultati është dukshëm më i lartë. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 10,2% në vitin 2025 në 78,9% në vitin 2026. Nga 38 çështje aktive në fillim të vitit 2026 janë përfunduar 30 dhe kanë mbetur në proces vetëm 8 çështje.
3.5. Për çështjet e vitit 2021 është shënuar gjithashtu progres, por me ritëm më të kufizuar. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 8,19% në 20,5%, ndërsa janë përfunduar 9 nga 44 çështje aktive. Megjithatë, 35 çështjet e vitit 2021 që mbeten në proces përfaqësojnë 77,8% të të gjithë stokut të mbetur të viteve 2019–2021.
3.6. Në përfundim, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 puna është përqendruar me rezultat të dukshëm në reduktimin e stokut më të vjetër, veçanërisht të çështjeve të viteve 2019 dhe 2020. Sfida kryesore për pjesën e mbetur të vitit është përshpejtimi i trajtimit të çështjeve të vitit 2021.
4. PROCEDIMET ME ZYRTARË TË NIVELIT TË LARTË
4.1. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë/ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.
4.2. Pjesën më të madhe të personave të përfshirë e përbëjnë kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësojnë së bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.