“U skualifikua në konkurs, sot Gerta Elezaj ushtron detyrën te Onkologjiku”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.07.2026, 10:48

Një qytetar ka përcjellë pranë redaksisë tonë një denoncim lidhur me procedurën e emërimit të një mjekeje në Shërbimin Onkologjik të QSUT-së, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së procesit nga institucionet përgjegjëse.

Sipas denoncuesit, në dokumentacionin që ai ka vënë në dispozicion rezulton se në një procedurë të mëparshme rekrutimi për një vend vakant mjek onkolog, Gerta Elezaj është skualifikuar pasi nuk është paraqitur në intervistë, ndërsa fituese është shpallur Daniela Begaj.

Megjithatë, denoncuesi thotë se aktualisht Elezaj ushtron detyrën si mjeke në Shërbimin Onkologjik, duke ngritur pikëpyetje mbi procedurën administrative që ka çuar në emërimin e saj. Ai kërkon që QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë të bëjnë publike dokumentacionin që justifikon këtë emërim, si dhe të sqarojnë nëse është zhvilluar një procedurë e re shpalljeje dhe konkurrimi për vendin vakant, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në denoncim ngrihen gjithashtu pretendime për konflikt interesi dhe favorizim nga drejtuesi i Shërbimit Onkologjik.

Denoncuesi pretendon se shqetësimet lidhur me procedurën e emërimit janë ngritur edhe më herët, por se deri tani nuk është bërë një verifikim i plotë administrativ. Ai kërkon që të hetohet dokumentacioni i punësimit, të verifikohet nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe, në rast të konstatimit të shkeljeve, të merren masat përkatëse.

JOQ ALBANIA mbetet e hapur për çdo reagim apo pretendim nga ana e personave të përmendur në denoncimin e qytetarit.

Denoncimi i qytetarit:

Përtej problematikave të njohura me të cilat përballet Shërbimi Onkologjik, që lidhen me mungesën e medikamenteve, pajisjeve, kushtet dhe mënyrën e trajtimit të pacientëve, ngrihet një tjetër çështje serioze që kërkon vëmendjen dhe verifikimin e menjëhershëm të institucioneve kompetente. Bëhet fjalë për emërimin e znj. Gerta Elezaj në pozicionin e mjekes onkologe pranë Spitalit Onkologjik në Tiranë, emërim për të cilin, bazuar në dokumentacionin bashkëlidhur, ngrihen dyshime serioze se është realizuar në kundërshtim me procedurat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për plotësimin e një pozicioni vakant.

Sipas shkresës bashkëlidhur, rezulton se pozicioni vakant për mjek onkolog nuk është shpallur dhe nuk është zhvilluar konkurs për plotësimin e tij. Për rrjedhojë, kërkohet të sqarohet mbi çfarë procedure, kriteresh dhe aktesh administrative është mbështetur punësimi i znj. Elezaj në këtë pozicion.

Dyshimet bëhen edhe më serioze për shkak të pretendimeve për ekzistencën e një marrëdhënieje sentimentale ndërmjet znj. Gerta Elezaj dhe Prof. Dr. Helidon Nina, shef i komanduar i Shërbimit Onkologjik. Sipas informacionit që disponojmë, pas emërimit të Prof. Dr. Nina në drejtimin e këtij shërbimi, znj. Elezaj është emëruar në pozicionin e mjekes onkologe pa u zhvilluar procedura e shpalljes së vendit vakant dhe konkurrimit.

Në këto rrethana, ngrihen dyshime të arsyeshme për favorizim, konflikt interesi dhe ndërthurje të marrëdhënieve personale me vendimmarrjen profesionale, të cilat duhet të verifikohen në mënyrë të plotë dhe të paanshme nga institucionet përgjegjëse. Një situatë e tillë bëhet veçanërisht shqetësuese kur zhvillohet brenda një shërbimi ku qindra pacientë me sëmundje onkologjike përballen çdo ditë me vështirësi të rënda, përfshirë mungesën e medikamenteve, pajisjeve dhe problematika të tjera të trajtimit. Në një institucion të kësaj rëndësie, standardet e ligjshmërisë, profesionalizmit, etikës dhe transparencës duhet të jenë të panegociueshme.

Gjithashtu, janë ngritur shqetësime lidhur me aftësinë profesionale dhe etikën në komunikim të znj. Elezaj, ndërsa pretendohet se këto problematika janë toleruar apo mbuluar nga drejtuesi i shërbimit, Prof. Dr. Nina. Edhe këto pretendime kërkojnë verifikim objektiv dhe institucional. Veçanërisht shqetësues është fakti se parregullsitë e pretenduara lidhur me emërimin e znj. Elezaj në Shërbimin Onkologjik janë konstatuar që në dhjetor të vitit 2025, por, sipas informacionit që disponojmë, QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë ndërmarrë hapa efektivë për verifikimin e plotë të procedurës dhe, në rast konstatimi të shkeljeve, për anulimin apo korrigjimin e saj.

Për këto arsye kërkohet verifikimi i menjëhershëm dhe transparent i procedurës së punësimit të znj. Gerta Elezaj, dokumentacionit mbi të cilin është realizuar emërimi, ekzistencës ose jo të shpalljes dhe konkursit për pozicionin vakant, si dhe verifikimi i çdo rrethane që mund të përbëjë konflikt interesi apo favorizim nga ana e drejtuesit të Shërbimit Onkologjik. Nëse konstatohen shkelje, kërkohet marrja e masave administrative dhe ligjore përkatëse, si dhe përcaktimi i përgjegjësive të personave që kanë marrë pjesë në këtë proces.

Zonja ne fjale eshte skualifikuar pasi nuk eshte paraqitur ne interviste sipas dokumentit lehtesisht te verifikueshem Ndersa tani eshte e emeruar ne pune te Onkologjiku

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit