Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i drejtuar nga Joanid Myzyri, ka përfunduar një procedurë prokurimi publik me vlerë qindra miliona lekë për llogari të Spitalit Universitar të Traumës (SUT), ku përfituese kryesore rezulton kompania e lidhur me deputetin Vasil Llajo.

Tenderi me referencë REF-86962-05-25-2026 dhe me objekt "Blerje materiale konsumi (implante ortopedike) për Shërbimin e Ortopedisë në SUT" kishte një fond limit prej 575,217,692 lekë të reja pa TVSH për një periudhë 24-mujore.

Sipas dokumenteve të publikuara, si operator ekonomik i suksesshëm është shpallur shoqëria "LAYO" shpk me subjekt mbështetës "MEDICAMENTA" shpk.
Në garë morën pjesë tri kompani, ku "LAYO" shpk doli fituese me ofertën prej 567,192,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 7.2 milionë euro me TVSH, një vlerë që i afrohet me shumë pak diferencë tavanit të fondit limit të vendosur nga OBP e Joanid Myzyrit.

Dy ofertat e tjera, "OrthoNet 360" shpk dhe "TRIMED" shpk, ishin vetëm pak milionë lekë më të larta, duke ngritur dyshime mbi konkurrencën reale në këtë procedurë.
Ajo që e bën akoma më të dyshimtë këtë prokurim publik është historiku i pronësisë së kompanisë fituese "LAYO" shpk me NIPT: K92317014S.
Dokumentet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) tregojnë se ortaku themelues dhe zotërues me 100% të kapitalit të kësaj shoqërie ka qenë deputeti Vasil Llajo.


Në qershor të vitit 2025, Vasil Llajo ia ka shitur 100% të kuotave të kapitalit shtetases Argita Bojaxhiu kundrejt shumës prej 150 milionë lekësh. Megjithëse formalisht në letra pronare figuron Argita Bojaxhiu dhe administratore Blerina Shehu, kompania mban ende emrin e themeluesit të saj "LAYO" dhe vijon të arketojë shuma marramendëse nga paratë publike të tenderave shëndetësorë.
Ky prokurim i zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara nën drejtimin e Joanid Myzyrit ngre pyetje të mëdha mbi barazinë në gara publike dhe përfitimin e tenderave nga kompani që lidhen me figura politike e deputetë.