Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke shënuar një moment simbolik të protestës së tyre: 60 ditë radhazi mobilizim pa ndërprerje kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po marshojnë në bulevardet e kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Rama, jep dorëheqjen!", që kanë shoqëruar nisjen e marshimit të kësaj mbrëmjeje.
Plot 60 ditë me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje në Tiranë, duke e kthyer këtë në një nga protestat më të gjata dhe më të qëndrueshme qytetare të dekadave të fundit në vend. Organizatorët e kanë cilësuar këtë vazhdimësi si dëshmi të këmbënguljes dhe vendosmërisë së protestuesve për të mos u tërhequr deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për 36 vitet e fundit, si dhe reforma të thella politike. Marshimi pritet të vijojë në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrjet dhe sloganet e qytetarëve.