Varfëria prek edhe shëndetin: Pensionistët marrin ilaçet borxh me listë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.07.2026, 21:51

Fletoret e borxheve nuk janë më një dukuri që shihet vetëm në dyqanet e ushqimeve. Sot, ato janë kthyer në një realitet shqetësues edhe brenda farmacive të qytetit të Korçës, ku shumë qytetarë detyrohen të shënojnë emrin për shkak të pamundësisë financiare për të blerë medikamentet e nevojshme.

Kjo është përditshmëria e mundimshme me të cilën përballen sidomos pensionistët, por edhe familje të tjera me të ardhura të pakta. Rritja e vazhdueshme e kostos së mjekimit i vë ata përballë zgjedhjeve të vështira: të marrin ilaçet me borxh ose të mos e zbatojnë plotësisht recetën që u ka përshkruar mjeku.

Rrethanat i detyrojnë farmacistët të përballen çdo ditë me skena prekëse. Ata tregojnë se klientët fillimisht pyesin për çmimin e secilit ilaç dhe më pas llogarisin se cilat mund të përballojnë. Për të mos i lënë pacientët pa mjekimin jetik, farmacistët shpesh pranojnë t'u japin barnat duke i shënuar në fletoret e borxheve, faqe që vijojnë të mbushen pa ndërprerje prej vitesh.

Vetë pensionistët e pranojnë me keqardhje se paratë që marrin në fund të muajit nuk u dalin as për nevojat më minimale të jetesës, e jo më për të mbuluar faturat e larta të barnave.

Për një pjesë të madhe të banorëve në Korçë, kujdesi për shëndetin nuk është më një e drejtë bazë, por një sfidë e përditshme mbijetese, ku medikamentet merren sot me shpresën e paktë se do të mund të paguhen nesër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit