Aksident në Durrës, makina përplaset me një fëmijë me biçikletë elektrike

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.07.2026, 21:32

Një aksident është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, pranë Kopshtit "Soros", ku u përfshi një automjet dhe një i mitur që lëvizte me një biçikletë elektrike.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk dihet ende.

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur edhe dëshmia e një qytetari, i cili ka qenë në vendngjarje dhe ka dërguar pamje menjëherë pas aksidentit. Sipas tij, i mituri po lëvizte me biçikletë elektrike dhe dyshohet se ka hyrë nga një rrugë dytësore, duke u përplasur me një automjet tip Smart që ndodhej në rrugën kryesore.

Qytetari pretendon se goditja ka qenë në anën e pasagjerit të automjetit, ndërsa shton se banorët e zonës flisnin se ishte biçikleta elektrike që kishte goditur makinën. Megjithatë, ai thekson se këtë nuk mund ta konfirmojë me siguri.

Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania shihet automjeti i ndaluar në mes të kryqëzimit dhe biçikleta elektrike e shtrirë në tokë pranë tij, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit