Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur këtë të mërkurë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Shkodër, ku një zjarr që përfshiu një banesë i mori jetën tre personave.
Sipas Policisë, viktima janë një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshave 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:10, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të zjarrit.
Shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse u nisën menjëherë drejt vendngjarjes pas marrjes së njoftimit. Megjithatë, ndërhyrja u vështirësua nga terreni i thepisur, pasi banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike. Kur ekipet e emergjencës mbërritën, flakët kishin shkrumbuar pothuajse tërësisht banesën.
Sipas informacioneve paraprake, familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. Mësohet se 24-vjeçarja kishte shkuar së bashku me dy fëmijët në banesën e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, kur zjarri shpërtheu dhe përfshiu objektin.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë.