Rikthimi i Zinedine Zidane në krye të kombëtares së Francës është pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin. Legjenda e futbollit francez është rikthyer aty ku shkroi historinë si lojtar dhe tashmë do të ketë misionin të udhëheqë "Les Bleus" drejt sukseseve të reja nga pankina.
Lajmi ka pushtuar mediat franceze, ndërsa tifozët kanë shpërthyer në rrjetet sociale me mesazhe mbështetjeje, duke e cilësuar Zidane si njeriun e duhur për të rikthyer Francën në majën e futbollit botëror. Për shumë prej tyre, ai nuk është thjesht një trajner, por simboli i krenarisë kombëtare dhe një nga figurat më të dashura në historinë e sportit francez.
Atmosfera në Francë është elektrizuese. Në Paris, Marseille, Lyon dhe qytete të tjera, emri i Zidane është kthyer në kryefjalën e ditës. Analistët sportivë besojnë se personaliteti, autoriteti dhe eksperienca e tij në nivelet më të larta do t'i japin kombëtares një identitet të ri dhe një mentalitet fitues.
Ish-mesfushori legjendar, që i dhuroi Francës Kupën e Botës në vitin 1998 dhe më pas fitoi gjithçka edhe si trajner i Real Madridit, rikthehet me një pritshmëri të madhe mbi supe. Megjithatë, besimi i tifozëve tek ai duket i palëkundur.
"Zizou është në shtëpi", ishte një nga shprehjet më të përsëritura në rrjetet sociale pas zyrtarizimit të tij, ndërsa shumë tifozë besojnë se me Zidane në stol, Franca është sërish një nga favoritët kryesorë për çdo trofe që do të synojë në vitet e ardhshme.
Për Francën, ky nuk është vetëm emërimi i një trajneri të ri. Është rikthimi i një ikone, i një njeriu që ka bashkuar një komb me sukseset e tij dhe që tani pritet ta bëjë sërish, këtë herë nga stoli.