Një krisje e papritur ka tronditur mazhorancën parlamentare, duke nxjerrë në pah tensionet e fshehura brenda Partisë Socialiste për kontrollin e institucioneve kyçe dhe ndarjen e pushtetit.
Konflikti, i cili nisi si një përleshje për kreun e ri të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), sipas VNA, ka degjeneruar në një akt të hapur rebelimi nga ana e deputetit Bledi Çuçi.
Gara për drejtimin e KPP-së shkaktoi përplasje të forta prapa skenave mes dy prej figurave më me peshë në parti. Ulsi Manja loboi fuqimisht për zgjedhjen e Ismail Shehut ndërsa Bledi Çuçi këmbënguli deri në fund për emërimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Enea Hoti.
Përballë rrezikut të përçarjes së grupit, në skenë zbriti vetë kryeministri Edi Rama, i cili thirri një mbledhje urgjente dhe vendosi prerë të shpallte fitues kandidaturën e mbështetur nga Manja. Ky vendim u interpretua nga kampi i Çuçit si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të tij politik.
Tensionet u thelluan edhe më shumë gjatë shqyrtimit të një marrëveshjeje huaje ushtarake prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithëse një marrëveshje e tillë e klasifikuar i takonte natyralisht për shqyrtim Komisionit për Sigurinë Kombëtare — i cili drejtohet nga vetë Bledi Çuçi dhe anëtarët e të cilit posedojnë certifikata sigurie — ajo u anashkalua tërësisht. Projektligji iu delegua Komisionit të Ekonomisë me pretekstin e trajtimit të tij si një çështje thjesht financiare.
Ndonëse i njohur për profilin e tij të disiplinuar dhe zbatuarjes strikte të vijës zyrtare të partisë, Çuçi ka reaguar hapur ndaj kësaj situate.
Gjatë seancës plenare ku u votua marrëveshja ushtarake, ndonëse ishte i pranishëm fizikisht në sallë, ai refuzoi të merrte pjesë në votimin elektronik. Ky bojkot i heshtur shënon një nga aktet më të rralla të distancimit publik nga linja e kryeministrit Edi Rama, duke sinjalizuar se garat për kontrollin e burimeve financiare dhe institucioneve po krijojnë çarje të dukshme brenda rreshtave socialistë.