Ermal Beqiraj, biznesmeni i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK dhe i konsideruar si krahu i djathtë i Ergys Agasit, është arrestuar në Francë. Policia e Shtetit konfirmoi se ai u ndalua në qytetin e Amiens, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, ndërsa të martën, më 29 korrik, pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë. GJKKO i ka caktuar masën “arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Arrestimi i tij ndodhi pas një episodi të pazakontë që alarmoi autoritetet franceze. Sipas mediave në Francë, Beqiraj po pilotonte një avion të vogël që u vu re duke fluturuar mbi termocentralin bërthamor Penly në Seine-Maritime, një objekt strategjik ku po ndërtohen edhe dy reaktorë bërthamorë të gjeneratës së re EPR-2. Gjatë fluturimit, ai uli avionin nga 3,700 në rreth 3,500 këmbë, nën kufirin minimal të lejuar për fluturime mbi zona të ndjeshme. Për këtë arsye, Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës ngritën një avion ushtarak që e shoqëroi deri në aeroportin Albert në rajonin Somme, ku ai u arrestua menjëherë sapo preku pistën dhe u dërgua në paraburgim.
Hetuesit francezë kanë ngritur dyshime edhe për rrethanat e fluturimit. Gjatë kontrollit fizik, në rrobat e Beqirajt u gjetën tre pajisje AirTag të fshehura, gjurmues GPS të prodhuar nga Apple, çka sipas mediave franceze ka orientuar hetimin drejt pistës se ai mund të ketë vepruar nën presion ose sipas udhëzimeve të dikujt tjetër. Edhe shpjegimet e tij nuk bindën autoritetet. Ai pretendoi se kishte bërë një gabim me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi centralin bërthamor ishte “duke folur në telefon me nënën e tij”. Po ashtu, itinerari i tij ngriti dyshime, pasi u nis nga Alberti, fluturoi drejt Calais, më pas kaloi mbi Brittany dhe përfundoi mbi termocentralin Penly. Për shkeljen e rregullave të fluturimit ai u dënua me kusht dhe me një gjobë prej 7,000 eurosh, përpara se t’i dorëzohej Zyrës Qendrore Franceze për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO), e cila nisi procedurat për ekstradimin.
Beqiraj është pronar i kompanisë “Soft & Solutions” dhe akuzohet nga SPAK se ka përfituar tenderë publikë me vlerë dhjetëra miliona euro përmes kërcënimeve ndaj kompanive rivale në dosjen e AKSHI-t. Mbi të rëndojnë gjithashtu akuza për korrupsion, ndërsa autoritetet shqiptare i kanë sekuestruar 10 pasuri dhe të gjitha llogaritë bankare. Mes pasurive të bllokuara janë truall në resortin “Green Coast” në Vlorë, prona në rrugën “Hoxha Tasim” dhe në kompleksin “Rolling Hills” në Tiranë, një apartament në Golem, njësia e shërbimit në rrugën “Çerçiz Topulli”, kompanitë “S.S” sh.p.k. dhe “H” sh.p.k., automjete e motomjete, si dhe jahti luksoz “Predator 50 Skyfall”, me vlerë rreth 1 milion euro, i cili rezultonte i regjistruar në emër të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Sipas legjislacionit shqiptar, Beqiraj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.