“S’po na lënë të flemë”, turistja e ‘djeg’ në Durrës, bën “twerk” mbi makinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.07.2026, 23:18

Një qytetare nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e cilëson një situatë të papranueshme që po përsëritet çdo natë në lagjen ku banon, për shkak të zhurmave, muzikës me volum të lartë dhe sjelljeve të papërshtatshme të disa turistëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Së bashku me denoncimin, ajo ka dërguar edhe një video, ku shihet një grup të rinjsh të huaj duke kërcyer dhe festuar mes pallateve gjatë orëve të vona të natës. Në një moment, njëra prej vajzave hipën mbi një automjet të parkuar dhe nis të kërcejë mbi të, ndërsa muzika vazhdon me volum të lartë.

Sipas qytetares, banorët janë të detyruar të përballen pothuajse çdo natë me zhurma deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa pretendon se mungojnë patrullimet dhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit.

"Përshëndetje JOQ! Jam një qytetare nga Durrësi dhe dua t'ju adresoj një shqetësim. Jemi një lagje familjare, por kemi edhe bllokun e restoranteve dhe apartamente që jepen me qira ditore. Përveçse lagjen na e ka pushtuar 'turizmi elitar' i kryeministrit, po hasemi me probleme të mëdha gjatë netëve, ku grupe turistësh dalin e ulërasin në mes të pallateve, ndezin muzikën nga makinat deri në orët e para të mëngjesit dhe Policia e Shtetit nuk ka as patrullim, as reagon për këto raste. Lagjja është shndërruar në pistë garash pas orës 12 dhe zhurma është e padurueshme. Banorët dalin, u flasin, por nuk ka asnjë reagim. Kam edhe një video ku një shërbim taksi shqiptar po shqetëson banorët."

Qytetarja thekson se nuk është kundër turizmit apo vizitorëve të huaj, por kërkon respekt për banorët që jetojnë në zonë dhe ndërhyrje nga autoritetet për të garantuar qetësinë publike gjatë natës.

Ajo u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, që të shtojnë patrullimet dhe të marrin masa ndaj rasteve të ndotjes akustike dhe sjelljeve që shqetësojnë komunitetin, në mënyrë që sezoni turistik të mos kthehet në një burim stresi për banorët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit