Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Hasi, ku ngre shqetësimin për gjendjen e rënduar të një rruge, e cila pas reshjeve është kthyer në një rrjedhë uji dhe balte, duke u bërë thuajse e pakalueshme.
Në videon e mbërritur në redaksi shihet segmenti i dëmtuar i rrugës, ku uji dhe balta kanë mbuluar të gjithë sipërfaqen, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe mjeteve.
Sipas qytetarit, problemi nuk është i ri dhe situata është lënë pas dore prej kohësh, ndërsa çdo reshje e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e infrastrukturës.
Banori i bën thirrje publike kryetarit të Bashkisë Has, Miftar Dauti, që të ndërhyjë sa më parë për rikonstruksionin e rrugës dhe zgjidhjen e problemit.
"Rruga është kthyer në lumë. Nuk mund të kalojmë normalisht sa herë bie shi. Kërkojmë që Bashkia Has të marrë masa dhe të mos na lërë më në këtë gjendje," shprehet qytetari.
Banorët thonë se përveç vështirësive në qarkullim, gjendja e rrugës rrezikon edhe sigurinë e tyre, sidomos gjatë motit të keq.
JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarëve dhe pret një reagim nga Bashkia Has lidhur me masat që do të merren për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor.