Një tjetër mekanizëm abuzimi dhe vjedhjeje e pastër me fondet publike është konsumuar te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group sh.a) i cili është në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përmes një farse të mirëmenduar prokurimi, plot 2.1 miliardë lekë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë i janë falur një bashkimi operatorësh, në atë që ngjan me një fitues të paracaktuar pa asnjë garë reale.
Dokumentet zyrtare të tenderit me reference REF-86664-05-22-2026 dhe objekt "Upgrade dhe Mirëmbajtje e sistemeve softuerike, procesimit dhe Data Center në Primary Site, BCC Site dhe DR Site", zbulojnë se si 170,533,589.00 Lekë të reja pa TVSH të fondit limit janë zhvatur deri në qindarkën e fundit.

Për të mbuluar abuzimin dhe për të krijuar iluzionin e një gare, në sistem janë futur kompani që shërbyen thjesht si dekor:
Fituesi i paracaktuar: Bashkimi i Operatoreve "Albital-Canon" sh.p.k. mori tenderin me një ofertë prej 166,781,000 Lekë të reja pa TVSH. Oferta e tyre kap shifrën skandaloze prej 97.8% të fondit limit, duke mos i kursyer shtetit as edhe një ulje minimale reale.
Mbulimi fiktiv: Operatorët e njohur "SOFT & SOLUTION" sh.p.k. dhe "iCom" sh.p.k. kanë hyrë në procedurë vetëm për të plotësuar numrin, duke dorëzuar vlerë 0 lekë pra pa ofertë ekonomike. Kjo skemë flagrante tregon qartë se si kompanitë janë përdorur si "numra" për të legjitimuar grabitjen e radhës.
Oferta "hije": Operatori tjetër, "Introvus Solutions" sh.p.k., ka paraqitur një ofertë prej 169,209,000 Lekë, po ashtu ngjitur me tavanin e fondit limit, për të kompletuar teatrin e manipulimit.

Ndarja e parave publike është bërë me përpikmëri mes një rrjeti kompanish të lidhura. Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB):
"ALBITAL – CANON" sh.p.k. (NIPT: J91524502R) – me administrator Mikel Llazo, zotërohet nga Servet Kasa (50%), Mikel Llazo (25%) dhe Rolinda Llazo (25%).
"Axians Albania" sh.p.k. (NIPT: K52207006Q) – subjekti mbështetës me 89% të peshës në këtë bashkim (ish "S & T ALBANIA"), me administrator Kleanthi Prifti, zotërohet 100% nga kompania e huaj VINCI Energies CEE ICT GmbH.
"ATOM" sh.p.k. (NIPT: L22203042N) – subjekti tjetër me 11% të pjesëmarrjes, me administrator Luan Basha, zotërohet nga ortakët me pjesë të barabarta: Luan Basha (50%) dhe Armand Agolli (50%).
Kjo procedurë abuzive dhe shkelje e hapur e barazisë në tenderat publikë demonstron se si paratë e energjisë që u vilen qytetarëve me fatura të kripura, përfundojnë në xhepat e oligarkëve të IT-së përmes tenderave të kurdisur pa garë.


