“Nëse jemi të tepërt, të paktën na paguani funeralin”, mesazhi prekës i 57-vjeçarit me aftësi të kufizuara pas vendimit të qeverisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.07.2026, 18:37

Pak ditë pasi qeveria miratoi paketën e re sociale që parashikon dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh prekës nga një 57-vjeçar me aftësi të kufizuara, i cili thotë se ndihet i lënë në harresë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave u mirëprit nga shumë familje, pasi parashikon dyfishimin e pagesës për mbi 10 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, njohjen e viteve të sigurimeve për mbi 14 mijë ndihmës personalë dhe lehtësimin e procedurave burokratike. Megjithatë, qytetari që na shkruan ngre shqetësimin se personat me aftësi të kufizuara mbi moshën 18 vjeç nuk përfitojnë nga kjo rritje, edhe pse sfidat e tyre vazhdojnë gjatë gjithë jetës.

Ai thotë se nuk po kërkon privilegje, por vëmendje dhe trajtim të barabartë, ndërsa fjalët e tij në fund të mesazhit janë veçanërisht të dhimbshme.

Mesazhi i plotë i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:

"Përshëndetje JOQ Albania. Jam një person me aftësi të kufizuara. Jam 57 vjeç dhe kam dhe kujdestari. U njoha me vendimin e qeverisë sonë të nderuar për dyfishimin e pagesës deri në moshën 18 vjeç dhe mirë bën se e meritojnë. Unë e di çfarë është të kesh një person të tillë në familje. Por duke mos patur ku të drejtohem po ju drejtohem juve që ta përcillni këtë shqetësim që nuk është vetëm i imi. Meqë qeveria nuk ka lekë për ne mbi 18 vjeç, i thoni të na mbulojë shpenzimet e funeralit meqë jemi të tepërt në këtë vend. Ju falënderoj nga zemra me shumë respekt."

Mesazhi i tij nuk është thjesht një ankesë personale, por një thirrje që, sipas tij, përfaqëson edhe shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara në moshë madhore, të cilët ndihen të përjashtuar nga mbështetja shtesë financiare.

Ndërsa paketa e re sociale është cilësuar nga qeveria si një hap i rëndësishëm drejt një sistemi më gjithëpërfshirës, ky qytetar kërkon që vëmendja të mos përfundojë te mosha 18-vjeç, pasi nevojat dhe vështirësitë e personave me aftësi të kufizuara nuk mbarojnë me kalimin në moshë madhore. Fjalët e tij ngrenë një pyetje të rëndësishme: A duhet të zgjerohet mbështetja edhe për personat me aftësi të kufizuara mbi 18-vjeç?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit