Një 29-vjeçar shqiptar në Itali është sulmuar me armë zjarri pasi dyshohet se kishte vendosur të largohej nga një rrjet i trafikut të drogës dhe të niste një jetë të re. Ngjarja ndodhi më 1 korrik në Zianigo di Mirano, në zonën e Venecias, ku i riu u qëllua në shpatull, por arriti të shpëtonte duke u fshehur në një zonë me bimësi.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Karabinierët e Venecias, në bashkëpunim me njësitë e tjera policore, u arrestuan dy shtetas shqiptarë, 44 dhe 39 vjeç, të akuzuar për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të paligjshme të armës. Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e tyre u gjetën municione të të njëjtit kalibër me plumbin që plagosi viktimën, si dhe materiale të lidhura me trafikun e drogës.
Sipas hetuesve, sulmi lidhet me një rrjet të trafikut të drogës në zonën e Miranos, pjesë e të cilit dyshohet se kanë qenë edhe të arrestuarit dhe i plagosuri. Ky i fundit kishte tentuar të shkëputej nga aktiviteti kriminal, por dyshohet se ishte kërcënuar vazhdimisht që prej shkurtit. Dy të arrestuarit ndodhen në burgjet e Venecias dhe Padovës, ndërsa hetimet vijojnë.