Rajoni i Ohrit ka shmangur edhe këtë herë përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por UNESCO ka vlerësuar se kërcënimet ndaj liqenit dhe zonave të mbrojtura mbeten serioze. Në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu dha një afat pesëvjeçar për të zbatuar rekomandimet që synojnë mbrojtjen e ekosistemit dhe vlerave të rajonit.
Sipas UNESCO-s, ndërtimet pa leje, urbanizimi i pakontrolluar, dëmtimi i vijës bregliqenore, menaxhimi i pamjaftueshëm i ujërave të zeza dhe mbrojtja e dobët e biodiversitetit mbeten kërcënimet kryesore. Organizata kërkon përshpejtimin e masave për shembjen e ndërtimeve pa leje, pezullimin e planeve të reja zhvillimore deri në përfundimin e vlerësimeve mjedisore dhe forcimin e koordinimit mes dy vendeve.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se shtyrja e vendimit nuk do të thotë se rreziku ka kaluar. Sipas tyre, nëse rekomandimet e UNESCO-s nuk zbatohen brenda afatit të caktuar, Rajoni i Ohrit rrezikon jo vetëm të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por edhe të humbasë statusin e tij si pasuri botërore.