Përjashtohen nga dyfishimi i pagesës, familjet e personave tetraplegjikë mbi 18 vjeç: Ky është diskriminim!

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.07.2026, 15:12

Nga data 1 korrik 2026c katër ndryshime të rëndësishme ligjore kanë hyrë në fuqi për për personat me aftësi të kufizuar. Ndër to është dyfishuar edhe pagesa bazë mujore për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar deri në moshën 18 vjeç. Kjo masë përfshin të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar, përfshirë personat e vlerësuar sipas skemës bio-psiko-sociale, personat e verbër, si dhe personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik.

Por pas këtij vendimi, një qytetare i është drejtuar JOQ Albania me një denoncim, duke e cilësuar të padrejtë kufizimin e përfitimit vetëm për personat deri në moshën 18 vjeç.

Ajo tregon se vajza e saj është 28 vjeçe, tetraplegjike, dhe nuk ka përfituar nga dyfishimi i pagesës, njësoj si shumë familje të tjera në të njëjtën situatë.

"Ku duhet të trokasim për këtë padrejtësi? Pse një 18-vjeçar tetraplegjik trajtohet ndryshe nga një 28-vjeçar tetraplegjik, kur gjendja dhe nevojat janë të njëjta, madje në shumë raste edhe më të rënda?" – shprehet qytetarja.

Sipas saj, vështirësitë nuk përfundojnë me mbushjen e moshës 18 vjeç. Përkundrazi, personat tetraplegjikë kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës, ndërsa familjarët dhe kujdestarët përballen çdo ditë me sfida të mëdha fizike, emocionale dhe ekonomike. Shpenzimet për trajtime, medikamente, pajisje ndihmëse dhe kujdes të përditshëm mbeten të larta, pavarësisht moshës së personit me aftësi të kufizuar.

Qytetarja thekson se edhe kujdestarët sakrifikojnë jetën e tyre profesionale dhe personale për t'u kujdesur 24 orë në ditë për familjarët e tyre, ndaj çdo mbështetje financiare është jetike për të përballuar kostot e përditshme.

Ajo kërkon që mbështetja financiare të mos kushtëzohet nga mosha, por nga gjendja shëndetësore dhe nevojat reale të personave me aftësi të kufizuar, duke u bërë thirrje institucioneve që të rishikojnë këtë kriter dhe të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë personat tetraplegjikë, pavarësisht moshës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit