Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, Xhuljano Xhaferraj rrëfen vrasjen e vëllait: E mora vesh kur dola nga burgu

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.07.2026, 11:03

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale.

Në seancën e parë, Haxhiu ka zgjedhur të mos jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit. Përmes një deklarate me shkrim, ai ka bërë me dije se do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj.

GJKKO njoftoi se çështja ndodhet në fazën e administrimit të provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve të thirrur nga organi i akuzës. Në seancën e sotme janë paraqitur 12 dëshmitarë, mes tyre edhe persona të lidhur me ngjarjet që janë pjesë e dosjes hetimore.

Një prej dëshmitarëve ishte Xhuljano Xhaferraj, i cili u soll në gjykatë nën shoqërimin e policisë së burgjeve, pasi ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” për një çështje tjetër, atë të vjedhjes.

Gjatë dëshmisë së tij, Xhaferraj foli për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2022. Ai deklaroi se në kohën kur ndodhi krimi ndodhej në burg dhe se për vdekjen e të vëllait kishte mësuar vetëm pasi ishte liruar.

“Kur u vra vëllai në vitin 2022 kam qenë në burg. Kur jam liruar, kishte tre ditë i vdekur. E mora vesh nga policia që ishte vrarë vëllai”, mësohet të ketë thënë ai para gjykatës.

Dëshmitari tregoi gjithashtu se rreth tre javë para ngjarjes kishte komunikuar me Fridmanin, i cili i kishte thënë se kishte plan të largohej drejt Italisë.

Sipas deklarimeve të tij, Fridman Xhaferraj kishte qenë në Elbasan së bashku me Lulëzim Spahinë dhe kishte planifikuar të udhëtonte drejt Greqisë me të.

“Vëllai tjetër ishte në Greqi. Fridmani ka qenë me Lulëzim Spahinë në Elbasan dhe do të nisej në Greqi me Lulëzimin. Kaq më treguan”, ka deklaruar Xhuljano Xhaferraj.

Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut do të vijojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë dhe shqyrtimin e provave të administruara në dosjen hetimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit