Shqipëria nën hijen e krimit të organizuar dhe korrupsionit!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.07.2026, 11:15

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar vlerësimin më të fundit për sigurinë në Shqipëri, ku evidentohen shqetësime për ndikimin e vazhdueshëm të krimit të organizuar, korrupsionit dhe dobësive institucionale. Në Njoftimin e Udhëtimit, Shqipëria mban nivelin “C”, që sipas DASH sinjalizon praninë e krimit të dhunshëm dhe aktivitetit të organizuar kriminal, si dhe kufizime në kapacitetet e autoriteteve vendase për t’iu përgjigjur rasteve të rënda.

Sipas raportit, niveli i përgjithshëm i kriminalitetit në Shqipëri është rritur me rreth 17% nga viti 2024 në vitin 2025. Rritja lidhet kryesisht me shtimin e rasteve të krimeve të lidhura me drogën, mashtrimet dhe veprat penale me armë. Ndërkohë, krimet kundër pronës kanë shënuar një rritje të lehtë prej rreth 3%, ndërsa grabitjet kanë rënë me 21%. DASH vlerëson se krimi i dhunshëm, përfshirë vrasjet, ka vijuar të ulet dhe ka shënuar rënie për të pestin vit radhazi.

Raporti thekson se krimi i organizuar vazhdon të ketë ndikim të madh në vend, me organizata kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, ryshfet, zhvatje, trafikim të qenieve njerëzore dhe prostitucion. DASH nënvizon gjithashtu se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë. Autoritetet shqiptare, sipas raportit, kanë rritur përpjekjet për goditjen e rrjeteve të trafikimit të armëve dhe bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet korrupsionit dhe sundimit të ligjit. DASH vlerëson se Shqipëria ka krijuar një kuadër ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por korrupsioni në administratë, drejtësi, prokurime publike dhe media mbetet një pengesë serioze për zhvillimin e biznesit dhe forcimin e institucioneve. Raporti përmend rolin e SPAK-ut, të krijuar në vitin 2019, duke theksuar se arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj zyrtarëve të lartë janë rritur, por ende persona me ndikim politik dhe ekonomik arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë penale.

Për sa i përket sigurisë publike, DASH vlerëson se krimi rrugor është i pranishëm kryesisht në zonat urbane, ku raportohen vjedhje, grabitje çantash dhe mashtrime. Raporti këshillon kujdes gjatë udhëtimeve, veçanërisht gjatë natës, për shkak të problemeve me sigurinë rrugore, mungesës së ndriçimit në disa akse dhe numrit të lartë të aksidenteve. Gjithashtu theksohet se shërbimet e emergjencës dhe kujdesi mjekësor janë të kufizuara jashtë Tiranës.

DASH ka vlerësuar edhe kërcënimet e mundshme nga terrorizmi, protestat dhe paqëndrueshmëria politike. Tirana klasifikohet me nivel kërcënimi “mesatar” për terrorizëm, ndërsa rreziku për dhunë politike konsiderohet “i ulët”. Raporti nënvizon se protestat në Shqipëri janë të zakonshme dhe, edhe pse përgjithësisht paqësore, në raste të caktuara mund të shoqërohen me incidente të dhunshme. Për zgjedhjet e vitit 2025, DASH vlerëson se procesi ishte kryesisht i qetë, por përmend shqetësime për përdorimin e burimeve publike, financimin e fushatave dhe mungesën e balancës në mbulimin mediatik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit