Një 16-vjeçar që punon si roje plazhi në SHBA është kthyer në një hero në rrjetet sociale, pasi një video e ndërhyrjes së tij për të shpëtuar një person nga mbytja është bërë virale, duke marrë mijëra reagime dhe komente nga përdoruesit.
Pamjet tregojnë momentin dramatik kur një pushues përballet me dallgët e forta dhe rrymat e detit, ndërsa disa persona përpiqen ta ndihmojnë. Megjithatë, situata përkeqësohet shpejt, pasi edhe ata rrezikojnë të përfundojnë të marrë nga rryma.
Në ato çaste vendimtare ndërhyn 16-vjeçari, i cili, me qetësi dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm për moshën e tij, merr kontrollin e situatës dhe me ndihmën e pushuesve arrin të nxjerri nga deti pushuesin.
Videoja është shpërndarë gjerësisht në platformat sociale, ku shumë përdorues kanë vlerësuar gjakftohtësinë, aftësinë dhe vendosmërinë e adoleshentit. Shumë komentues e kanë cilësuar ndërhyrjen e tij si shembull të përgatitjes profesionale dhe kanë theksuar se reagimi i tij i shpejtë bëri diferencën mes jetës dhe vdekjes.